Gjermania ishte vendi i mundësive për Gjetan Ketën.
Me një karrierë të gjerë në fushën e boksit ai ka triumfuar jo pak herë para kundërshtarëve, ku numëron 27 ndeshje me 23 fitore. Njëkohësisht Gjetan Keta ka fituar dhe tituj interkontinentalë.
I ftuar mëngjesin e sotëm në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show”, ai zbulon për herë të parë se ka vendosur që të rikthehet në Shqipëri. Ndërkohë që ndan më shumë detaje për planet e tij të së ardhmes në atdhe.
“My Keta Academy” quhet akademia e boksit që do të hapet së shpejti në Tiranë nga Gjetan Keta. Ai shton se së bashku me familjen këtë verë do të jetojnë përgjithnjë në Shqipëri. Synimi i tij është që kjo akademi të bëjë bashkë fëmijë dhe të rritur që të ndjekin ëndrrën e të zbulojnë talentin e tyre në fushën e boksit.
Aldo: Ti do e hapësh dhe do ikësh?
Gjetan Keta: Jo unë do e hap dhe do jem këtu.
Aldo: Do të shpërngulesh bashkë me familjen?
Gjetan Keta: Do marr fëmijët dhe vetë. Do të jetë e gjithë familja këtu.
Aldo: E mbylle Gjermaninë?
Gjetan Keta: Nuk e kam mbyllur akoma sepse kam fëmijët në shkollë atje. Të mbyllë dhe këtë semestër vajza në shkollë dhe nga vera do të kthehem për Shqipëri, përgjithmonë. Në akademi do të jem vetë aty.
Aldo: Si e ke menduar organizimin e akademisë?
Gjetan Keta: Do të ketë orar orar për fëmijët dhe për çdolloj moshe, për të gjithë ata që janë në fillimet e tyre dhe më vonë do të krijohet mundësia që kur të bëhen grupet e profesionistëve të kenë orë ekstra. Kemi aerobi është dhe qendra e fitnesit. Janë krijuar të gjitha kushtet aty. Nis stërvitja avash-avash, jo direkt dorezat. Mësohen fillimisht teknikat.
Aldo: A ka limite për moshën?
Gjetan Keta: Po nga mosha 4-8 vjeç që do të stërviten 2 herë në javë dhe nga mosha 8 deri në 12 vjeç që do të stërviten 3 herë në javë, çuna dhe goca. Do të jenë dhe moshat e rritura./tvklan.al