E enjte, 30 Janar, 2025

Avokati humbi ndjenjat gjatë seancës gjyqësore, policia: Ja nga se u shkaktua vdekja

Policia e Tiranës ka dhënë më tepër detaje në lidhje me vdekjen e avokatit Gjovalin Ulndreaj, që ndërroi jetë në spital, pasi humbi ndjenjat në ambientet e Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Efektivët informojnë se gjatë ditës së djeshme, më 28 janar, avokati ka humbur ndjenjat gjatë seancës gjyqësore në Apel dhe më pas është dërguar në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 59-vjeçari nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë.

Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja ka ardhur nga arresti kardio-respirator.

“Më datë 28.01.2025, në ambientet e Gjykatës së Apelit, Tiranë, gjatë një seance gjyqësore, ka humbur ndjenjat shtetasi Gj. U., 59 vjeç, avokati, i cili është dërguar në spital, por pavarërisht ndërhyrjes së mjekëve, ka humbur jetën. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja është shkaktuar nga arresti kardio-respirator”, informon policia.

Avokati Gjovalin Ulndreaj deri në vitin 2003 ka ushtruar detyrën e oficerit të Policisë, ndërsa prej rreth 22 vitesh i shërbeu dhe sistemit të avokaturës i licensuar pranë Dhomës së Avokatisë Shkodër. Më 2020, Gjovalin Ulndreaj kandidoi për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, përkrah Ibrahim Dishës, Artan Shkëmbit, Adriatik Agos dhe Sabri Hoxhës.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit