Dhjetëra automjete dhe qindra qytetarë janë bllokuar ditën e sotme në rrugën Maqellarë – Peshkopi.
Prej më shumë se tre orësh, qytetarët janë të bllokuar në këtë aks për shkak të punimeve që po bëhen në lotin e tretë të rrugës së Arbrit, në segmentin Herebel – Peshkopi.
Për pasojë, drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët, përfshirë edhe disa të sëmurë që po udhëtonin për në spitalin e Dibrës, janë bllokuar, dhe askush nuk po merr përgjegjësi për lirimin e qarkullimit.
Sipas udhëtarëve, kompania që po realizon ndërtimin e kësaj pjese të fundit të rrugës ka shtuar punën tani në prag të zgjedhjeve, ndonëse kishte mundësi ta kishte përfunduar më herët këtë fazë të punimeve.
Për shkak se ndërtimi po kryhet në gjurmët e rrugës ekzistuese, mjetet nuk kanë mundësi për të kaluar nëpër rrugë alternative dhe kjo ka shkaktuar një situatë të vështirë për ata që udhëtojnë drejt Peshkopisë ose Tiranës.
Qytetarët kërkojnë një ndërhyrje urgjente për të normalizuar qarkullimin dhe për të siguruar kushte më të mira infrastrukture.