Është zhvilluar sot mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku në fokus ishin zgjedhjet e 11 majit.
Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha, ka deklaruar se mazhoranca është angazhuar në krime të mëdha elektorale, të kryesuara nga zv. kryeministrja Belinda Balluku.
Berisha i ka bërë thirrje demokratëve për mosbindje civile, ndërsa shtoi se në këtë periudhë është shfaqur me gjithë shëmtinë e tij shteti elektoral.
Fjala e Sali Berishës:
“Zonja dhe zotërinj deputetë, në këtë periudhë është shfaqur me gjithë shëmtinë e tij shteti elektoral.
Në këtë periudhë, Edi Rama është angazhuar në krime të mëdha elektorale.
Krimin shtetëror elektoral e kryeson Lubi Balluku.
E kryeson ky person, që në vjedhjet e saj tejkalon pas Edi Ramës çdo person tjetër në historinë e vendit.
Kjo ka hapur zyrat në të gjithë Myzeqenë me punonjësit e ministrisë, të cilët ngulen aty si xhandarë elektoralë, si terroristë elektoralë.
Përdorimi i shtetit elektoral për të dhunuar votën e shqiptarëve është një thirrje e brendshme për demokratët për mosbindje civile.
Edi Rama nuk mund të grabisë kurrë këto zgjedhje.
Ne jemi të përgatitur për një fushatë elektorale të ndershme, të qetë, të drejtë, të konkurrojmë me alternativë.
Por në qoftë se ai shpalos shtetin elektoral, ne do shpalosim zemërimin e qytetarëve kundër shtetit elektoral.
Lubi Loti është një monstër e shtetit elektoral.
Peshkopinë e drejtonte me Ymer Lalën nga resorti i Ymer Lalës, që ia çonte edhe rrugën automobilistike gjer tek dera e resortit.
Tani, në Fier përdor metodat e një terrorizmi të vërtetë elektoral.
Dhe nuk është vetëm ajo, të njëjtën gjë bëjnë kudo këta.
Kryetarët e bashkive kanë braktisur detyrat, përveç atij të Elbasanit që thonë se Suel Çela e ka shtruar në dru dhe po kurohet në spitalet e Greqisë, nuk e di është a e vërtetë apo jo, por nuk mund të mos e them këtë, të tjerët janë zhdukur, qytetarët nuk ekzistojnë.
I përshëndes dhe i përgëzoj emigracionin që po i refuzon masivisht aq sa nuk janë në gjendje të filmojnë takimet e tyre sepse janë të dështuara të gjitha.
Por kjo është e vërteta, kryetarët e bashkive nga Saranda në Kukës janë shpërndarë si terroristë elektoralë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin.
Edi Rama po përdor trafikantë dhe oligarkë, ai ia paguan takimin në Milano, këtu i jep lejen e ndërtimit. Sipas medieve, një Ujka, Ujka”, tha ai.