E premte, 31 Janar, 2025

Fluks në doganën e Bllatës, shqiptarët i drejtohen Maqedonisë së Veriut për blerje, kërkohet një pikë kontrolli e përbashkët dhe shtim i sporteleve

Vendkalimi kufitar “Bllatë”, i vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka regjistruar një rritje të përdorimit edhe për vitin 2024. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, gjatë këtij viti, numri i përgjithshëm i njerëzve që kanë kaluar në këtë vendkalim ka qenë 834.355 persona, duke shënuar një rritje prej 110.096 krahasuar me vitin 2023, kur u regjistruan 724.259 persona.

Kjo rritje e konsiderueshme ka sjellë edhe një rritje të radhëve të automjeteve për hyrje dhe dalje, duke krijuar nevojën për përmirësime infrastrukturore. Në këtë drejtim, autoritetet shqiptare kanë kërkuar që vendkalimi “Bllatë” të punojë me dy hyrje dhe dy dalje, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të përmbushur kërkesat gjithnjë në rritje.

Nga autoritetet e vendkalimit kufitar “Bllatë” bëhet me dije se për vitin 2025 numri i kalimeve pritet të jetë edhe më i lartë, veçanërisht pas hapjes së tunelit të Murrizit në Rrugën e Arbërit – i cili parashikohet të vihet në përdorim në pranverë. Me hapjen e këtij tuneli, vendkalimi “Bllatë” do të bëhet edhe më i aksesueshëm, duke reduktuar distancën dhe kohën e udhëtimit mes dy vendeve – pasi do të jetë pika më e afërt e kalimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve festash, pritja për të kaluar në vendkalim mund të arrijë edhe një orë. Kryetarët e Dibrës në Maqedoninë e Veriut dhe Dibrës në Shqipëri, Hekuran Duka dhe Rahim Spahiu, kanë theksuar nevojën për një angazhim më të madh nga të dy qeveritë për të krijuar një pikë të përbashkët doganore në vendkalimin “Bllatë”, të ngjashme me atë të vendkalimit “Qaf Thanë”. Kjo do të lehtësonte jo vetëm qarkullimin, por edhe shkëmbimet ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve.

Një situatë e ngjashme vërehet edhe në vendkalimin kufitar me karakter lokal Xhepishtë-Trebishtë. Sipas të dhënave të MPB-së në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2024, në hyrje janë evidentuar 1.456 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe 24.297 shtetas të huaj, ndërsa në dalje janë regjistruar 1.508 shtetas maqedonas dhe 23.819 shtetas të huaj.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit