Arjon dhe Klisman Hasaj, janë lënë në burg nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 5 janar në Shkodër, ku humbi jetën Ramazan Mataj.
Ata akuzohen për vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Matajt, i cili u ekzekutua në një atentat e 4 Janarit në në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër me breshëri kallashnikovi brenda automjetit të tij, tip “Mercedes Benz”.
Arjon Hasaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj akuzohet për kryerjen e veprave penale“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Vendimi:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, më datë 05.01.2025, rreth orës 07:15 në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është marrë njoftim se, në fshatin Dragoç, Njësia Administrative Postribë, Shkodër, është një person i vrarë dhe gjendet në një tip Benz. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale A. H dhe K. A.
Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:
– personit nën hetim me iniciale A. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278 të Kodit Penal.
– personit nën hetim me iniciale K. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga nenet 80, 278 dhe 301 të Kodit Penal.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 32 (47), datë 10.01.2025, ka vendosur:
-Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim A. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” të parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim A. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
-Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim K. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal
-Caktimin ndaj personit nën hetim K. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personi nën hetim me iniciale K. H, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 03.02.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Fatri Islamaj, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 32 (47), datë 10.01.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.