Ndërtimi i lotit të tretë të rrugës së Arbrit, nga fshati Erebarë deri në Peshkopi, ka lënë pa rrugë fshatin Dovolan. Banorët e këtij fshati thonë se kërkesa e tyre për të patur akses me rrugën e Arbrit ka rënë në vesh të shurdhër, ndonëse e kanë parashtruar që me nisjen e hapjes së trasesë së kësaj rruge.
Rakip Karazaimi shprehet se kalimi nga njëra anë e rrugës në tjetrën është i rrezikshëm pasi edhe qarkullimi i automjeteve bëhet me shpejtësi të lartë. Sipas tij, as pushteti vendor e as ai qëndror nuk e mbajtën premtimin për ndërtimit të rrugës së fshatit që të lidhet me këtë pjesë të rrugës së Arbrit.
Vendosja e barrierave metalike anësore është një tjetër pengesë që banorët të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Nga fshati Erebarë deri në Peshkopi, banorët që janë prekur nga ndërtimi i lotit të tretë të rrugës së Arbrit, vazhdimisht kanë ngritur pakënaqësi për shkak të dëmtimit të pronave apo mungesës së krijimit të aksesit në këtë aks rrugor.