Ndonëse jemi në fillim të muajit Shkurt dhe temperaturat janë ende shumë të ulta, ku gjatë natës zbresin disa gradë nën zero, në Bulqizë kanë nisur të shfaqen vatrat e para të zjarrit në male.
Pasditen e së dielës dy vatra zjarri janë aktivizuar në malin e fshatit Peladhi. Shuarja e vatrave të zjarrit është bërë gjatë orëve të vona të natës me ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Bulqizë dhe banorëve të zonës.
Duke qenë se vatrat e zjarrit janë shumë larg zonës së banuar dhe tokave bujqësore, zjarrvënia duhet të ketë qenë e qëllimshme në masivin pyjor me dushqe.
Kjo është vatra e parë e zjarrit në malet e Bulqizës për këtë vit, ndonëse situata ka qenë problematike në këtë periudhë për shkak se banorët e fshatrave pastrojnë kullotat apo tokat bujqësore me anë të zjarrvënies, por që mund të bëhen shkak për djegien e pyjeve nëse situata u del jashtë kontrollit.
Edhe vitin e kaluar qindra hektar pyje u shkrumbuan nga flakët në Bulqizë dhe gjithë qarkun Dibër, ndërsa autorë të zjarrvënieve kanë rezultuar mosha e tretë që ka qenë duke pastruar kullota.