Pas Santorinit, shpallet gjendja e jashtëzakonshme edhe në ishullin Anafi për shkak të aktivitetit sizmik. Ky vendim i autoriteteve greke do të qëndrojë në fuqi deri më 13 Mars.
Një ditë më parë, një tjetër ishull aty pranë, Amorgos, shpalli gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme.
Pasditen e së enjtes në zonën detare midis Amorgos dhe Santorinit ndodhën dy tërmete me magnitudë 4.4 i shkallës Rihter. Lëkundjet sizmike ndodhën në më pak se 3 minuta.
Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, më shumë se 14,000 tërmete kanë ndodhur pranë ishullit Santorini që nga 26 Janari.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve vendas dhe vizitorëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë ndërsa monitorimi i aktivitetit sizmik vazhdon.
Vala e fundit e lëkundjeve ka ngritur shqetësime mes banorëve dhe zyrtarëve për sezonin turistik.