Një përplasje e rëndë mes dy burrave për motive vulgare, ka precipituar në përdorimin e armëve të ftohta në Dibër, teksa policia arrestoi 32-vjeçarin Jorgo Koltraka, si autori i dyshuar i plagosjes me thikë në kokë të një 25 vjeçari të paemëruar.
Zyrtarët detajonin se episodi i dhunës ekstreme ndodhi “pas një konflikti të çastit” në zonën pranë ish-fabrikës së miellit në Peshkopi.
Policia vendase shtonte më tej në njoftim:
“Shërbimet e seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër dhe ata të Komisariatit të Policisë Dibër, menjëherë pas marrjes së njoftimit, për një konflikt ndërmjet dy shtetasve në qytetin e Peshkopisë, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit J.K., 32 vjeç, banues në Peshkopi.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se 32-vjeçari, në ambientet e ish-fabrikës së miellit në qytetin e Peshkopisë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet të mprehtë dhe i ka shkaktuar dëmtime në kokë, shtetasit S.B., 25 vjeç, banues në Peshkopi, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”.