Një aksident i frikshëm është shënuar këtë të mërkurë mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës.
Një automjet tip benz i cili dyshohet se lëvizte me shpejtësi të lartë ka dalë në trotuar duke thyer 2 pemë, e dëmtuar një shtyllë ndriçimi.
Si pasojë e thyerjes së pemës është plagosur një grua e cila po lëvizte në këmbë në trotuar.
Burime nga vendi i ngjarjes thanë se automjeti që vinte nga lagjja e re e qytetit në drejtim të lagjes së vjetër, ka humbur kontrollin nga shpejtësia e lartë dhe ka goditur fillimisht dy pemët dhe më pas shtyllën elektrike e në fund ka përfunduar në kanalin që mbledh ujërat e bardha të dy lagjeve të qytetit të Bulqizës.
I plagosur nga ky aksident ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, burime nga spitali i Bulqizës thanë se edhe gruaja e dëmtuar nga goditja e pemës është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të këtij aksidenti, i cili për pak mund të kishte pasoja fatale për gruan, e cila ndodhej në trotuar dhe u godit nga pema e thyer si pasojë e përplasjes së automjetit tip Benz.