Tashmë ndërtimi i rrugës së Arbrit është drejt fundit dhe me gjasë kompania do ta shpallë të përfunduar nga mesi i muajit Mars.
Por teksa bëhen shtrimet e fundit asfaltike, për banorët e fshatit Shkallë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, nuk është ndërtuar ende një nënkalim për të kaluar bagëtinë nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Të vetmen alternativë që kanë këta banorë, janë tombinot e përrenjve që kur nuk ka reshje shiu i përdorin si nënkalime.
Banorët thonë se mungesa e nënkalimeve e bën të rrezikshme kalimin nga njëra anë e rrugës në tjetrën për shkak se makinat qarkullojnë me shpejtësi të lartë dhe bëhen burim aksidentesh. Ata kërkojnë që të gjendet një zgjidhje duke ju ndërtuar nënkalime pasi mund të ketë pasoja fatale në të ardhmen si për njerëzit ashtu edhe për kafshët.
Të njëjtën kërkesë kanë edhe banorët e fshatit Xibër Murrize, pak metra larg hyrjes së tunelit numër 1 të rrugës së Arbrit. Duke qenë se rruga e ndan përmes lagjen, banorët janë të detyruar të kalojnë nga njëra anë në tjetrën duke rrezikuar jetën.