Një fotot nga Trieste duke shijuar rrezet e diellit, ka ngritur dyshimet se këngëtarja Elhaida Dani dhe balerini Ledian Agalliaj, kanë hedhur një hap më tej në lidhjen e tyre dhe janë fejuar.
Balerini ka postuar në profilin e tij në rrjetet sociale një foto tek duket Elhaida, ndërsa vëmendjen më të madhe e ka marrë unaza me diamant në dorën e saj.
Po ashtu, nuk ka mjaftuar vetëm kjo për të nxitur dyshimet për një fejesë, pasi Ledian Agalliaj ka shkruar ndër të tjera krahas fotos dhe një dedikim të veçantë.
“Përgjithmonë e imja”, ka shkruar ai dhe kaq ka mjaftuar për të menduar se ka diçka pas.
Kujtojmë se këngëtarja Elhaida Dani ka folur në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, për romancën e saj me balerinin, e cila nisi në Dancing With The Stars, ndërkohë që ai ishte në një lidhje dashurie 7-vjeçare.
Artistja, e cila po shijon lidhjen e dashurisë prej më shumë se një viti me partnerin e saj dhe u konsiderua si një mollë sherri në marrëdhënien e balerinit me ish të fejuarën, “justifikoi” romancën duke thënë se “u dashurova”.
“Nuk ishte një akt, një shfaqje, por një ndjesi e pastër një lidhje e vërtetë”, u shpreh këngëtarja në skenën e Fest 63, duke shtuar se “ajo që për mua ishte magji, për të tjerët u bë thjesht një arsye për të më ndëshkuar dhe gjykuar”, ndërsa balerini ndodhej në parapaskenë dhe e dëgjonte.
Elhaida Dani i konsideroi kritikat ndaj saj si “një takë që thyhet dhe papritur rrëzohesh”, teksa theksoi se në momentin që bëri lidhjen publike me balerinin gjatë spektaklit hapi zemrën me publikun.
“Por si në një tavernë greke, ku pjatat thyen pa mëshirë, edhe zemra ime u thye. 3 ditë mjaftuan që gjithçka të ndryshonte, komente, sharje, akuza, më paragjykuan, më thanë tradhtare, njerëz që nuk më njihnin dhe nuk e kuptonin zemrën time, më dënuan pa mëshirë”, u shpreh artistja.
Elhaida Dani: Ka momente në jetën e një artisti ku gjithçka që je, gjithçka që ke ndërtuar vihet përballë një bote që pret të të gjykojë.
Ndonjëherë nuk janë dritat e skenës ato që të verbojnë por janë hijet e paragjykimeve që të ndjekin pas.
Isha në atë sallë, në atë skenë duke kërcyer, duke ndjerë çdo hap, ritëm dhe ndodhi ajo që nuk e kishte parashikuar askush. U dashurova! Ku je? (I drejtohet balerinit dhe shikon nga salla) Ku të kam? Nuk ishte një akt, një shfaqje, por një ndjesi e pastër një lidhje e vërtetë.
Por ajo që për mua ishte magji, për të tjerët u bë thjesht një arsye për të më ndëshkuar dhe gjykuar.
E keqja është që ti e ndjen shumë thellë, si një takë që të thyhet papritur dhe rrëzohesh. Edhe unë u rrëzova, u rrëzova para syve që vëzhgonin çdo lëvizje timen, çdo hap, çdo shikim timin. E çuditshme është shumë sepse si artist, ti zgjedh ti hapësh zemrën publikut, të gjithëve. Por si në një tavernë greke, ku pjatat thyen pa mëshirë, edhe zemra ime u thye. 3 ditë mjaftuan që gjithçka të ndryshonte, komente, sharje, akuza, më paragjykuan, më thanë tradhtare, njerëz që nuk më njihnin dhe nuk e kuptonin zemrën time, më dënuan pa mëshirë. Unë mbeta aty e brishtë, e thyer, por unë jam mësuar të luftoj. Jam rritur me ëndrrën për të fituar, jam rritur me ëndrrën për të qenë ajo që nëna ime më thotë me krenari ‘kjo është vajza ime’.
Askush nuk të përgatit për momentet kur zemra jote bëhet objekt gjykimi, kur jeta jote private shndërrohet në një spektakël publik. Ata më thanë thjesht ‘ti nuk je e mirë’. Si mund të përgjigjesh kur je bërë copë, kur një takë thyhet, ajo nuk flet, vetëm shkëputet dhe unë në atë moment ndjeva diçka brenda meje u këput, por jo përgjithmonë. Unë e di që bota e një artisti mund të jetë mizore, çdo lavdërim dhe çdo sharje e ka fuqinë të të ndryshojë, të të bëjë më të fortë ose të të thyejë, dhe unë e mora dhimbjen dhe shndërrova në forcë. Sepse e di që nuk mund t’i pëlqesh të gjithëve, nuk mund ta detyrosh botën të të dojë, por mund të vazhdosh të jesh e sinqertë e veten tënde.
Kam derdhur lot për ata që u përpoqën të më thyenin, të më përdornin, të më përndiqnin dhe më gjykuan.
Në fund çdo gjë është për dashurinë time, sepse është dashuria ajo që të mban lotët me të cilët ndan dhimbjen dhe gjen forcën, këtë gjë nuk na e rrëmben askush. Prapë unë sot kthehem në skenë, i besoj botës një copë të jetës sime, zemrës time.