Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka dhënë arsyet e një vendimi të tillë, duke shtuar se duhet bashkim për të fituar kundrejt mazhorancës në pushtet.
“Të lëmë pas interesat personale dhe zënkat që janë prodhuar vitet e fundit mes demokratëve, dhe të bëhemi një. Arsyet që na bashkojnë janë më të shumta sesa ato që na ndajnë. Dhe nuk ka arsye më të fortë se Shqipëria”, tha ai.
Reagimi i plotë:
ARSYET QË NA BASHKOJNË JANË MË TË SHUMTA SE ATO QË NA NDAJNË
Të dashur dibranë dhe shqiptarë,
Më shumë se asnjëherë tjetër, jemi dëshmitarë se Shqipëria sot ndodhet në rrezik.
Nuk ka mbetur shqiptar që nuk e ka kuptuar se 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë sjellë më shumë varfëri, më shumë rritje të çmimeve të ushqimeve, dhe më shumë rritje të kostove të jetesës.
12 vitet e Ramës në pushtet kanë sjellë mungesa të frikshme ilaçesh dhe pajisjesh nëpër spitale. A jeni të kënaqur, të nderuar dibranë, me “shëndetësinë falas” të Ramës?
12 vitet e qeverisjes së Ramës kanë qenë fatale për rreth 800 mijë pensionistë, të cilët nuk mbyllin dot muajin dhe nuk mund të paguajnë ilaçet dhe ushqimet. Shqipëria ka pasur buxhetin më të madh ndonjëherë, 8.2 miliardë euro, por këto para nuk janë çuar për ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë, pensionistët. Rama ka zgjedhur që paratë tona t’ia çojë tek oligarkët dhe bashkëpunëtorët e tij.
Të nderuar dibranë,
Jemi dëshmitarë se edhe një rrugë, ajo e Arbrit, është kthyer në rrugën e vdekjes për ne. Aksidente për shkak të mungesës së sinjalistikës rrugore, rrëshqitje të dherave, për shkak të abuzimeve dhe mosbërjes së punimeve siç duhet. Dhe sot, pas 12 vitesh qeverisje nga Edi Rama, nuk është përfunduar as ajo rrugë, që vazhdon të mbetet një rrezik për të gjithë.
12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë sjellë shpopullim masiv të trojeve shqiptare, veçanërisht të Dibrës sonë, e cila të ardhme sheh vetëm emigrimin.
Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Të gjithë ne duhet të bashkohemi, të lëmë pas interesat personale dhe zënkat që janë prodhuar vitet e fundit mes demokratëve, dhe të bëhemi një. Arsyet që na bashkojnë janë më të shumta sesa ato që na ndajnë. Dhe nuk ka arsye më të fortë se Shqipëria.
Për ne, dibranët, historia na ka treguar se kur na thërret kombi, ne lëmë çdo gjë mënjanë dhe i përgjigjemi thirrjes. Sot, duhet të jemi bashkë për të shpëtuar Shqipërinë.
E di që në këto tre vite, shumë demokratë, si pasojë e ngjarjeve që kanë ndodhur, janë lënduar dhe mërzitur, por ne duhet të tejkalojmë veten, për të ardhmen tonë, për të ardhmen e Shqipërisë.
Kam një pyetje për ju të gjithë:
A e mendoni se çfarë do të ndodhë me këtë vend nëse Rama merr një mandat të katërt?
Përgjigjia e kësaj pyetjeje duhet të na frymëzojë dhe të na bashkojë rreth Partisë Demokratike, me kryetar Prof. Dr. Sali Berishën. Deklarata e Kryetarit të PD-së në Parma të Italisë, se “Kurrë mos harroni se shqiptarët i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë”, duhet të na frymëzojë çdo ditë.
Për arsyet e mësipërme, kam vendosur që të kandidoj në primaret e Partisë Demokratike, duke iu dhënë besën se do të jem një zë i fortë për Dibrën dhe dibranët.
XH.GJ