Bërthama e brendshme e Tokës mund të ketë ndryshuar formë në 20 vitet e fundit, sipas një grupi shkencëtarësh.
Forma e saj, zakonisht mendohet si e rrumbullakët, por sipas Prof John Vidale i cili drejtoi kërkimin, skajet e saj në disa vende mund të jenë deformuar me 100 metra lartësi ose edhe më shumë.
Bërthama e Tokës është praktikisht zemra e planetit tonë pasi prodhon një fushë magnetike që mbron jetën nga djegia prej rrezatimit diellor.
Pa këtë lëvizje, Toka do të vdiste dhe do të kthehej në një planet shterp si Marsi, i cili humbi fushën e tij magnetike miliarda vjet më pare, kujton BBC.
Ndryshimi i formës së saj, sipas studimit, mund të jetë duke ndodhur aty ku skajet e bërthamës së brendshme të ngurtë prekin bërthamën e jashtme të lëngshme e cila është jashtëzakonisht e nxehtë.
Hulumtimi është publikuar në revistën shkencore Nature Geoscience. Shkencëtarët fillimisht po përpiqeshin të zbulonin përse bërthama e brendshme kishte ngadalësuar lëvizjen në një ritëm më të avashtë se rrotullimi i Tokës përpara se të shpejtonte përsëri në 2010.
Analiza e re e tyre shqyrton modelet e valëve sizmike nga tërmetet që u përsëritën në të njëjtin vend në periudhën mes viteve 1991 dhe 2023. Kjo ndihmoi për të treguar se si bërthama e brendshme po ndryshon me kalimin e kohës.
Sipas studiuesve, ndryshimi po ndodh në kufirin e bërthamës së brendshme dhe të jashtme, afër pikës së shkrirjes. Rrjedha e lëngshme e bërthamës së jashtme si dhe tërheqja nga një fushë e pabarabartë e gravitetit, argumentojnë ata, mund të shkaktojë deformim.