E shtunë, 8 Mars, 2025

PARTITË POLITIKE DREJT ZGJEDHJEVE TË 11 MAJIT – PËRZGJEDHJA E KANDIDATËVE

Përfshirja e votës së shqiptarëve që jetojnë në diasporë ka ndryshuar dinamikën e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Kjo ka sjellë një përshpejtim të afateve për zyrtarizimin e kandidatëve që do të garojnë për një vend në Kuvendin e Shqipërisë.

Deri më 8 Mars, partitë politike duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të 12 qarqet e vendit. Ky afat është përcaktuar në mënyrë që të mundësohet dërgimi i fletëve të votimit me postë për shqiptarët jashtë vendit, një proces që kërkon kohë për të arritur destinacionet e përcaktuara nga zgjedhësit në diasporë.

Përpara përpilimit të fletëve të votimit, kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të dekriminalizimit, ku çdo emër do të verifikohet sipas ligjit.

Aktualisht, asnjë parti politike nuk ka zyrtarizuar kandidatët e saj, megjithëse disa emra qarkullojnë në mënyrë jozyrtare. Kjo pritet të bëhet e qartë pas dërgimit të listave në KQZ.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka zgjedhur një qasje ndryshe, duke organizuar një proces të brendshëm përzgjedhjeje. Më 1 Mars, anëtarësia do të votojë për kandidatët që do të përfshihen në listën përfundimtare.

Sipas një Njoftimi zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale, lista e kandidatëve të Primares për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të PD të Qarkut Dibër, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë:

Alketa Agolli, Klodian Cami, Kreshnik Çollaku, Basir Çollaku, Blerta Gazidedja, Ferzileta Gjika, Xhemal Gjunkshi, Femi Hoxha, Ilir Krosi, Hamza Lleshi, Përparim Spahiu, Ismail Uka dhe Denisa Vata.

Në më pak se dhjetë ditë, qytetarët do të mësojnë emrat e kandidatëve të të gjitha forcave politike dhe më 11 Maj do të vendosin se kujt do t’ia besojnë votën për t’i përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit