Pak ditë më parë gjatë një inspektimi në tunelin e Murrizit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku njoftoi se tuneli i Murrizit, një ndër veprat më të rëndësishme të rrugës së Arbrit do të hapet për qarkullimin e automjeteve me datë 14 Mars.
Ndërkohë, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu thotë se në të njëjtën ditë do të përfundojë edhe loti i tretë i rrugës së Arbrit nga fshati Herebel deri në qytetin e Peshkopisë.
Shehu shtoi se me përfundimin e këtyre dy veprave të fundit të rrugës së Arbrit, banorët e Dibrës por jo vetëm, do të shkurtojnë distancën me Tiranën.
Aktualisht në tunelin e Murrizit po bëhen punimet e fundit si vendosja e ndriçimit dhe sinjalistikës, asaj horizontale dhe vertikale.