Rruga nacionale Burrel – Klos përballet me disa problematika, por shqetësues mbetet situata e aksit në fshatin Suç.
Në segmentin e rrugës hyrëse të fshatit Kurdari, jo vetëm që zgavra e poshtme e rrugës nacionale po zmadhohet si pasojë e gërryerjes së vazhdueshme të ujit, por po shemben edhe mbrojtëset metalike anësore të karrezxhatës.
Ky problem është i evidentuar prej kohësh nga banorët e zonës, por deri tani nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet.
Siç duket nga pamjet, barrierat metalike anësore janë gati në shembje dhe qëndrojnë aty vetëm si dekor, pasi nuk mund të përballojnë asnjë forcë për të mos e lejuar automjetin të përfundojë në lumin Mat.
Bib Gjini thotë se më problem është kur kalojnë në këtë rrugë mjetet e tonazhit të rëndë, pasi struktura e rrugës është dobësuar shumë.
Ai shton se masat që duhen marrë duhet të jenë të menjëhershme dhe të mos lejohet që të shembet e gjithë traseja e rrugës, pasi do të ishte një fatkeqësi për të dy Bashkitë; Mat e Klos, por edhe më gjerë.
Duke qenë se rruga nacionale Burrel – Klos është rehabilituar e gjitha 7 vite më parë, banorët kërkojnë që firma mirëmbajtëse të ndërhyrjë sa më parë në segmentin e dëmtuar në fshatit Suç.