E hënë, 31 Mars, 2025

Mbyllet protesta e minatorëve, arrihet marrëveshje me kompaninë turke

Minatorët e minierës më të madhe në Bulqizë, e cila administrohet nga kompania turke “Yildirim Holding”, kanë mbyllur protestën e tyre pas 3 javësh bojkot të punës.

Minatorët, të cilët ishin angazhuar në protestë që prej fillimit të muajit Mars, thanë se një ditë më parë kanë rënë në një marrëveshje me kompaninë turke, e cila ju ka plotësuar disa nga kërkesat.

Mësohet se nga 15% rritje page, është rënë dakord që për këtë vit, kompania të bëjë një rritje prej 5% dhe pjesën tjetër të rritet vitin e ardhshëm. Po ashtu, është rënë dakord që puna të vijojë si më parë me dy ditë pushim në fundjavë, të shtunën dhe të dielën, ndryshe nga kërkesa e kompanisë që të punohej edhe ditët e shtuna.

Kërkesat e minatorëve janë arritur të pranohen pas një sërë negociatash që zhvilluan përfaqësuesit e kompanisë turke me një përfaqësi të minatorëve.

Kujtojmë se protesta e minatorëve të Bulqizës nisi në fillim të këtij muaji, pasi kompania turke “Yildirim Holding”, sipas protestuesve, kishte shkelur kontratën e punës. Kjo protestë erdhi pas shumë vitesh që në qytetin e minatorëve, Bulqizë, nuk zhvillohej asnjë protestë nga ana e punëtorëve të nëntokës për shkak edhe të braktisjes nga sindikatat.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit