Veç mungesës së mjekëve specialistë, një tjetër problem që po përballen spitalet e Qarkut të Dibrës është edhe eksperti mjekoligjor që është i domosdoshëm kur qytetarët nuk ndërrojnë jetë natyralisht por për shkaqe të tjera, që duhen vërtetuar nga mjekësia ligjore.
Prej të paktën tre vitesh në spitalet bashkiake por edhe atë rajonal të Dibrës nuk ka mjek për të bërë ekspertizën mjekoligjore të personave që humbin jetën në rrethana të ndryshme.
Aktualisht të gjitha viktimat e aksidenteve apo për shkaqe të tjera dërgohen për eskpertizë mjekoligjore në Tiranë. Kjo bën që familjet e viktimave, përveç fatkeqësisë që kanë, t’ju shtohet edhe një kalvar tjetër vuajtjesh duke pritur shumë kohë për të marrë trupin e pajetë të të afërmit të tyre.
Në shumë raste familjet janë përballur me vonesa dhe për këtë është kërkuar që situata të zgjidhet dhe spitalet t’i rikthehen normalitetit, që të paktën të kenë secili prej tyre, mjek eksperto-ligjor.
Ndërkohë, ky shqetësim është ngritur edhe nga Prokuroria e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe institucione të tjera të cilat kanë të bëjnë direkt me ekspertizën mjekoligjore kur është e nevojshme të kryhet për personat që ndërrojnë jetë në rrethana jo natyrale