E premte, 11 Prill, 2025

“Isha gati të luftoja që ajo të kthehej si e dashura ime!”/ Vrasja e Ilaria Sulës, dëshmia e re e autorit dhe vendimi i gjykatës. Çfarë i kërkoi e reja që Mark u nervozua

“Isha gati të luftoja që Ilaria të kthehej si e dashura ime”, kështu ka deklaruar 23-vjeçari filipinas, Mark Antony Samson, autori vrasjes së 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula në Romë, gjatë dëshmisë së tij në seancë gjyqësore.

Në urdhrin e gjykatës, gjykatësi ka përshkruar marrëdhënien ndërmjet të riut dhe 22-vjeçares, duke thënë se ata ishin njohur në vitin 2023 në vendin e punës dhe më pas u lidhën në 30 prill të të njëjtit vit.

Samson ka shpjeguar se kanë pasur një marrëdhënie normale, me ulje-ngritje, ashtu siç ndodh në çdo lidhje.

Megjithatë, gjithçka ka ndryshuar, sipas deklaratës së të dyshuarit, kur Ilaria i ka kërkuar rreth tre muaj më parë, t’i shihte notat e provimeve të universitetit.

“Kjo ka qenë gjithmonë një problem i madh, pothuajse një traumë”, ka treguar ai, që nga koha kur ka qenë në shkollë të mesme. Siç thekson gjykatësi, “kjo ka shkaktuar te ai ankth për performancën në shkollë, veçanërisht ndaj prindërve”.

Më pas, djali ka thënë se Ilaria i kishte vënë një ultimatum, nëse ai nuk i tregonte notat e universit, ajo do ta linte, duke theksuar se ajo ndryshe nga ai nuk do kishte asnjë problem për t’ia treguar ato.

Në fund të janarit 2025, siç është raportua, të dy të rinjtë kanë vendosur për një pauzë në lidhjen e tyre, e cila nuk ka ndodhur kurrë, pasi ata kanë vazhduar gjithmonë të takohen.

Vrasësi i Ilarias ka deklaruar gjithashtu se “sjellja e të dashurës ishte e paqëndrueshme, herë e trajtonte si të dashur, herë si një mik të thjeshtë”.

Sipas gjykatësit që ka zbardhur detajet, ai tha gjithashtu “se nuk mund të pranonte përfundimin e marrëdhënies me Ilarian, megjithëse të gjithë miqtë e tij, të cilëve iu drejtuar, e kishin këshilluar të largohej nga kjo situatë”.

Në fillim të marsit, situata mes tyre përkeqësohet edhe më tej, pasi Ilaria i ka thënë se është regjistruar në një platformë takimesh.

“Ai mbeti i shokuar, ndërkohë që ata vazhduan të shiheshin dhe ajo dukej më e ftohtë dhe më e distancuar dhe dëshironte të dilte me shoqet e saj edhe vetëm”, ka treguar gjykatësi, ndërsa Ilaria, sipas djalit, “herë e trajtonte me dashuri si të dashur dhe herë tjetër shfaqte ftohtësi”.

Sipas gjykatësit, siç ka dalë në një pjesë të urdhrit të masës së sigurisë, pas vrasjes, Mark Samson ka treguar një qëndrim të kontrolluar, pavarësisht se ai kishte thënë disa herë se nuk mund të jetonte pa Ilarian dhe se nuk mund të imagjinonte një jetë pa të. Gjykatësi thotë se edhe pasi e vrau barbarisht dhe e zhduku trupin e saj, ai ka arritur të kthehet në normalitet menjëherë.

Nga akti gjyqësor, gjithashtu del se pas krimit, 23-vjeçari takon shoqen e saj, me të cilën kishte dalë për drek, duke folur për problemet që kishte me Ilarian e vrarë pak më parë, dhe njëkohësisht duke diskutuar për çështje të parëndësishme.

Ai nuk ka pasur asnjë hezitim për t’i dërguar babait të vajzës mesazhe si të ishte Ilaria. Po kështu ka bërë dhe me shoqet e saj, duke u shfaqur si Ilaria dhe duke i mashtruar ato se shoqja ishte ende gjallë

Për gjykatësin, akuza është e pakundërshtueshme, duke marrë parasysh gjithashtu pranimet e nënës së vrasësit. “E kam ndihmuar të pastronte shtëpinë, të fshinte gjurmët e gjithë atij gjaku”, ka thënë nëna e tij kur mori përgjegjësinë e saj për përfshirjen në krim. Ajo është marr nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e trupit të pajetë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit