Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës ka kallëzuar në SPAK kandidatin për deputet të Sali Berishës në qarkun e Durrësit, ish-prokurorin Arian Ndoja. Në kallëzimin e paraqitur, Koalicioni Euroatlantik kërkon nisjen e hetimeve ndaj Ndojës për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Në kallëzimin e depozituar në SPAK, Koalicioni Euroatlantik thotë se Ndoja dyshohet se ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për të mos votuar subjekte të tjera politike, si edhe sipas tyre ka pohuar publikisht lidhje me individë të botës së krimit, me qëllim intimidimin e zgjedhësve dhe ndikimin në votë.
“Zgjedhjet e 11 majit duhet të zhvillohen në mënyrë të lirë, të ndershme dhe larg ndikimit të grupeve të strukturuara kriminale apo formave të blerjes së votës,” – thuhet në kallëzimin zyrtar.
Sipas kallëzuesve, këto dyshime bien ndesh me objektivat e Strategjisë së Hetimit për Krimin Zgjedhor të miratuar nga vetë SPAK, e cila përfshin hetimin aktiv të rasteve të presionit, kanosjes apo përfshirjes së elementëve kriminalë në procesin elektoral.
Koalicioni Euroatlantik i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të regjistrojë menjëherë kallëzimin penal, të kryejë hetimet e nevojshme dhe të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor përmes veprimit të shpejtë dhe të vendosur.
Kush është Arjan Ndoja?
Arian Ndoja iu bashkua procesit të primareve të Sali Berishës dhe ish-kryeministri e katapultoi në listat e hapura të qarkut të Durrësit për zgjedhjet e 11 majit. Ish-prokurori ishte objektiv edhe i një atentati në nëntor 2019 në rrethrrotullimin e Shkozetit. Ndoja u shkarkua më 6 maj të vitit 2022 nga Komisioni i Vettingut i shkallës së parë për lidhje të shumëfishta me krimin por edhe për pasuri të pajustifikuar. Sipas vendimit, prokurori Ndoja kishte kontrate me të paktën 9 persona të dyshuar dhe të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Në vendim pasqyrohet lidhja e prokurorit Ndoja me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, ‘i forti i Sukthit’, por edhe si ‘Rrumi’. Ndoja ishte me Lahon në atentatin tek rrethrrotullimi i Shkozeti, ku vetë i plagosur Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.