E premte, 11 Prill, 2025

Vrasja e Ilarias nga ish i dashuri filipinas, prindërit dhe vëllai: Të kalbet në burg! Na hoqi një pjesë të zemrës! E hodhi në humnerë si të ishte objekt

Flamur, Gëzime dhe Leon Sula, prindërit dhe vëllai i 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, e cila u masakrua me thikë nga ish i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, kanë folur për mediat italiane lidhur me ngjarjen tragjike.

“Ai duhet të kalbet në burg përjetë”, kanë thënë prindërit e 22-vjeçares së ndjerë. “Atë që ai i bëri asaj, nuk ua bëjnë kafshëve. Vajza jonë nuk ishte objekt dhe ai e hodhi si të ishte një e tillë. Nuk ishte një triko, nuk ishte një palë këpucë, ishte njeri”, tha babai i saj, pasi i riu e hodhi trupin e pajetë të Ilarias në një shkëmb pasi e vrau dhe e futi në një valixhe.

Për ta Ilaria ishte një vajzë e mrekullueshme e cila kishte ëndrra, studionte për Statistikat Financiare dhe pirtej të diplomohej në tetor të këtij viti.

“Jeta jonë, zemra jonë, engjëlli ynë. Ajo kishte aq shumë ëndrra, nuk u ndal kurrë. Ajo studionte për Statistikat Financiare, do diplomoje në tetor”, kanë rrëfyer prindërit e saj.

Nëna e saj, Gëzimja, ka treguar se e bija i kishte lajmëruar se do vinte ti takonte, por kur i vëllia kishte shkuar ta priste në stacionin e trenit, ajo nuk kishte ardhur.

“E prisnim atë fundjavë. Vëllai i saj shkoi ta merrte në stacion, treni mbërriti dhe u largua përsëri dhe Ilaria nuk ishte aty. Ne u përpoqëm ta telefononim, por telefoni i saj ishte i fikur. Aty kuptuam se diçka kishte ndodhur”, tha ajo.

Mes dhimbej dhe mallit për të bijë, prindërit dhe vëllai i Ilarias kërkojnë drejtësi për vrasjen e të bijës, e cila siç thonë ata, “është mbyllur në një vend ku nuk mund të kthehet më”.

“Ata na hoqën një pjesë të zemrës, gjithçka. Vajza jonë është e mbyllur në një vend që nuk mund ta lërë më, nuk mund të kthehet në shtëpi, nuk do ta shohim më kurrë të hyjë në derë, të qëndrojë në dhomën e saj. Ajo na jepte forcë. Ne kemi për detyrë të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend”, kanë thënë ata.

Për sa i përket nënës së Mark Samsonit, e cila rrëfeu se e kishte ndihmuar të birin të fshinte gjurmët e gjakut në dhomën e tij, pasi kishte vrarë Ilarian, prindërit e kësaj të fundit shprehen se ajo nuk duhet kurrë ta kishte bërë diçka të tillë.

“Si mund ta bësh një gjë të tillë? Ajo duhet të kishte thirrur për ndihmë, një ambulancë, policinë. Mos ta ndihmonte të pastrojë të gjitha, të mbulojë krimin. Ajo nuk është nënë”, u shpreh Flamur Sula.

Ndërkohë, vëllai i saj Leon Sula është shprehur se do donte të dinte nëse e motra ka pasur mundësinë për të thënë fjalët e fundit.

“Doja të dija nëse Iliarja ka pasur mundësinë për të thënë fjalët e fundit… Kush kanë qenë fjalët e fundit…”, tha ai, ndërsa babai shtoi “Mbase do i ketë telefonuar mamasë…”

“Ehhh mami ishte duke fjetur në shtëpi”, tha mamaja e Ilarias gjatë intervistës dhe nis të qaj.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit