E enjte, 24 Prill, 2025

Shuarja e Papa Franceskut, qeveria shpall 26 prillin ditë zie kombëtare

Qeveria ka shpallur 26 prillin (ditën e shtunë), ditë zie kombëtare, pas ndarjes nga jeta në moshën 88-vjeçare të Papa Franceskut.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë, ndërkohë që i është bërë thirrje edhe mediave që të transmetojnë muzikë funebre.

Kujtomë se Papa Francesku përcillet të shtunën për në banesën e fundit.

VENDIMI:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.

4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit